Toleranca Islamike dhe Koncepti i Xhihadit

Hyrje
Është bërë e ditur edhe më parë se Islami është feja më e keqkuptuar në botë. Unë jam dakord me këtë thënie. Është fatkeqësi në të vërtetë që njerëzit nuk kanë qenë të aftë të kuptojnë filozofinë e mësimeve Islame në marrdhënie me paqen. Një nga konceptet më të keqkuptuara ka qenë koncepti i Xhihadit. Koncepti i Xhihadit është keqndërtuar plotësisht dhe paraqitur në mënyrë të pavërtetë aq sa tani ka marrë një konotacion negativ. Në të vërtetë, është shumë e trishtë që njerëzit nuk e kanë njohur bukurinë e Islamit në këtë drejtim. Islami sipas meje, është si një diamant shumë i bukur, një diamant paqeje. Nga cilido kënd që ta shikojmë është paqe absolute, paqe e pastër, asgjë tjetër veç paqes. Megjithatë ka patur shumë deformime të mësimeve të vërteta të Islamit. Prandaj, unë do të dëshiroja të shprehja dhe të ndaja me ju këndvështrimet e mia mbi konceptin e paqes përpara se të shpjegoj kuptimin e vërtetë të fjalës “Xhihad”.
Islami dhe Paqja
Çfarë e bën Islamin një fe të paqes? Vetë emri i Islamit është diçka unike. Për të parën herë në të gjithë historinë e feve, kemi një fe që emërtohet tekstualisht “Paqe”. Fjala “Islam” ka dy konotacione së pari, do të thotë bindje ndaj vullnetit dhe urdhërave të Allahut dhe së dyti, ai do të thotë paqe. Për më tepër Islami është një fe e vendosur nga Allahu i Plotëfuqishëm. Allahu ka cilësi të ndryshme dhe një prej tyre është As-Salaam, që do të thotë ai që jep paqen.
Ai njeri që beson në Islam quhet Musliman. Përkufizimi i një Muslimani është “ai që është tërësisht në paqe me vetëveten dhe që promovon paqe në shoqëri.” Një përkufizim tjetër edhe më bukur i një muslimani është nga themeluesi i Islamit Profeti i Shenjtë Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Ai ka thënë: “Një musliman është ai person prej duarve dhe gjuhës së të cilit janë të sigurtë të gjithë njerëzit.” (Bukhari)
Në kuptimin e vërtetë të fjalës vetëm ai person që nuk i shkakton askujt asnjë dëm mund të quhet ndershmërisht dhe sinqerisht një musliman.
Ka edhe pika të tjera me vlerë që mund të përmenden. Përshëndetja e muslimanëve është “Assalamu Alaikum”, që do të thotë, “paqja qoftë mbi ty.” Kjo ndahet mes muslimanëve dhe jo-muslimanëve njësoj. Vendi nga ku Islami e ka origjininën, Meka, ka qenë njohur si Balad-ul-Ameen, që do të thotë qyteti i paqes. Kurani i Shenjtë iu shpall Profetit të Shenjtë (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) nga engjëlli i njohur Rooh-ul-Ameen, që do të thotë engjëlli i paqes. Së fundmi, titulli i dhënë Profetit të Shenjtë (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) nga kundërshtarët e tij përpra deklarimit që ishte profet ishte Al-Ameen që do të thotë se ai ishte më i besueshmi dhe më i paqti njeri mbi tokë.
Asnjë detyrim në çështjet e fesë.
Duhet thënë se Isalmi bën një deklaratë shumë të hapur, një deklaratë për të gjithë kohërat, drejtuar të gjithë njerëzve. Kurani i Shenjtë në mënyrë të qartë thotë:
“Nuk ka dhunë në çështjet e fesë”
(Kurani i Shenjtë 2:257)
Ajeti vazhdon duke shpjeguar edhe arsyen për këtë. Ai thotë:
“Pa dyshim, e vërteta është dalluar nga e pavërteta.”
(Kurani i Shenjtë 2:257)
Kur ju keni arsyen dhe logjikën në anën tuaj dhe kur keni mësimet e bukura dhe bindëse të Islamit, ju nuk keni nevojë as për forcë dhe as për detyrim. Islami nuk e lejon përdorimin e forcës për të konvertuar dikë. Kurani i Shenjtë deklaron:
“Dhe thuaj: E vërteta është ajo që vjen prej Zotit tua,
pra le ta përqafojë besimin ai që dëshiron, dhe le ta
mohojë atë ai që dëshiron.”
(Kurani i Shenjtë 18:30)
Isalmi ka dhe garanton lirinë e zgjedhjes, lirinë e fjalës, propagandimit dhe praktikimit të fesë. Kushdo që do të zgjedhë të besojë do të shpërblehet sipas asaj që meriton dhe kushdo që zgjedh të mos besojë nuk do të detyrohet të veprojë këtu.
Braktisja e Isalmit
Ka disa muslimanë të cilët fatkeqësisht besojnë se nëse një person e pranon Islamin dhe më vonë tërhiqet, ndëshkimi për një dorëheqje të tillë është dënimi me vdekje. Sipas mësimeve të Islamit, nuk ka asnjë ndëshkim ose masë të marrë për atë që braktis Islamin. Ndëshkimi, nëse do të ketë një të tillë, jepet vetëm nga Allahu i Plotëfuqishëm dhe jo nga njeriu. Liria e konvertimit dhe e braktisjes së Islamit përbëjnë që të dyja testin acid të deklaratës: “nuk ka dhunë në çështjet e fesë.” Nuk mund të ketë një liri të njëanëshme në Islam, liri për të hyrë dhe jo për të dalë.
Barazia e njerëzve
Ka disa mësime të tjera që provojnë përtej çdo ndryshimi se Islami është një fe e paqes. Një nga mësimet më të shquara të Islamit është koncepti i barazisë së njerëzve. Islami nuk njeh ndonjë privilegj që nga lindja duke iu referuar, familjes, kastës, klasës apo ndonjë faktori tjetër. Nuk ka diskriminim midis njerëzve pavarësisht nga gjuha, kombi, raca apo besimi. Islami kërkon të vendosë një shoqëri egalitare të bazuar mbi shprehjen praktike të së vërtetës që të gjithë njerëzit janë krijesa dhe shërbëtorë të të njëjtit Zot, dhe duhet për Hir të Tij dhe për të fituar kënaqësinë e Tij, të jetojmë së bashku si vëllezër.
Respekt për të gjitha fetë
Islami më tutje gëzon besimin në themeluesit e të gjitha feve të mëdha dhe besimin në librat e shpallur atyre. Ky, në fakt, është një nga dallimet e mëdha të Islamit. Mbahet parasysh se të gjitha fetë kryesore ishin të bazuara te e vërteta në fillimin e tyre, dhe akoma përmbajnë shumë të vërteta. Islami e mohon në mënyrë kategorike bindjen se vetëm feja e dikut është rruga e shpëtimit dhe përveç saj nuk ka tjetër. Të gjitha fetë kryesore janë për tu nderuar dhe duhet patur konsideratë e lartë për to. Muslimanët janë të detyruar t’i nderojnë dhe t’i respektojnë vendet e adhurimit të feve të tjera. Respekt i thellë duhet të tregohet gjithashtu edhe për themeluesit e tyre dhe personazhet e tyre të shenjtë.
Karta e Lirisë
Mund të duket qartë se Islami është një fe e paqes dhe nxit tolerancë përkundrejt të gjithë besimeve dhe kombeve. Në lidhje më këtë dua t’iu prezantoj një dokument shumë të rëndësishëm historik. Kjo është Karta e Lirisë dhënë Kristianëve nga Themeluesi i Shenjtë i Islamit s.a.w. Kjo pjesë monumnetale është e papreçedentë në gjithë historinë e njerëzimit dhe është mishërimi i gjithë shpirtit të koncepteve Islamike të tolerancës dhe paqes. Ajo thotë:
“Ky është një dokument i shkruajtur nga Muhammedi, i biri i Abdullahut, Profet i Zotit, Lajmërues dhe Mbajtës i lajmeve të gëzuara, në mënyrë që të mos ketë justifikime për ata që do të vijnë më pas. Unë po e shkruaj këtë dokument për Kristianët e Lindjes dhe të Perëndimit, për ata që jetojnë pranë dhe për ata që jetojnë larg, për ata që po jetojnë në të tashmen dhe për ata që do të jetojnë në të ardhmen, për ata kristianë që njohim dhe për ata kristianë që nuk i njohim gjithashtu.
Cilido musliman që do të dhunojë apo shtrembërojë atë që është urdhëruar do të konsiderohet të ketë dhunuar Thirrjen e Zotit dhe do të ketë shkelur Premtimin e Tij, dhe duke vepruar kështu do të ketë fituar zemërimin e Zotit, qoftë ky një monark apo një njeri i zakonshëm.
Unë premtoj se cilido murg ose udhëtar që do të kërkojë ndihmën time në male, në pyje në vendet e tyre ose në vendet e adhurimit, unë do t’i prapësoj armiqtë e tij me miqtë dhe ndihmësit e mi, me të gjithë të afërmit e mi dhe me të gjithë ata që kanë deklaruar se më ndjekin mua dhe do t’i mbroj ata sepse ata janë njerëzit me të cilët kam lidhur këtë premtim. Unë do t’i mbroj ata kundër persekutimit, plagosjeve dhe turpërimit të armiqve të tyre në këmbim të taksës që ata kanë premtuar të paguajnë. Nëse ata preferojnë që të mbrojnë njerëzit dhe pronat e tyre vetë, atyre do tu lejohet një gjë e tillë dhe nuk do t’ju shkaktohet asnjë mosmbarëvajtje.
Asnjë peshkop nuk do të dëbohet nga peshkopata e tij, asnjë murg nga manastiri tij, asnjë prift nga vendi i tij i adhurimit dhe asnjë pelegrin nuk do të ndalohet në pelegrinazhin e tij. Asnjë nga kishat e tyre ose vende të tjera adhurimi nuk do të shkretohet, shkatërrohet apo shëmbet. Asnjë material i kishave të tyre nuk do të përdoret për të ndërtuar xhami apo shtëpi për muslimanë dhe çdo musliman mund të veprojë kështu do të konsiderohet i pabindur ndaj Zotit dhe Profetit të Tij. Murgjit dhe peshkopët nuk do të jenë subjekt i asnjë takse kudo që të jetojnë në pyll, pranë lumenjëve, në Lindje apo Perëndim, në Veri apo në Jug. Unë u jap atyre fjalën time të nderit. Ata kanë premtimin tim dhe unë u kam dhënë fjalën dhe ata do të gëzojnë imunitet të plotë nga të gjitha llojet e shqetësimeve. Çdo lloj ndihme do tu jepet atyre për riparimin e kishave të tyre. Ata duhet të çlirohen nga armaturat e lodhshme të veshjes. Ata do të mbrohen nga muslimanët. Le t’i binden të gjithë këtij dokumenti deri ditën e Gjykimit.
(Nënshkroi: Muhammedi, I Dërguari i Zotit. (E cituar nga Makaatib-ur-Rasul [Letër e të Dërguarit] e shtypur në Beirut, Liban)
Nuk mund të ketë një ligjëratë më elokuente e cila të mishërojë mësimet e Islamit në lidhje me paqen dhe tolerancën.
Koncepti i Xhihadit
Më lejoni të shpjegoj konceptin e vërtetë të Xhihadit. Interpretimi i gabuar është ai që bëhet për ushtritë muslimane të cilat duke pushtuar shtete të tjera i detyronin njerëzit të pranonin Islamin. Është njësoj sikur muslimanët të mbanin Kuranin nga njëra dorë dhe shpatën në tjetrën dhe tu jepnin ultimatumin njerëzve që nesë nuk përqafonin Islamin do tu duhej të përballeshin me vdekjen. Ky është absolutisht një keqinterpretim i Xhihadit. Nuk ka fare të bëjë me Islamin që është një fe e paqes. Rëndësia e vërtetë e Xhihadit është përpjekja e mundimi për të reformuar botën dhe ta bëjë një vend të paqtë për cilindo që jeton në të. Xhihadi më i madh për një musliman është përpjekja për të reformuar vetëveten – një përpjekje kundër egos së tij dhe ngacmimeve satanike që e nxitin drejt së keqes. Nëse zhvilloni një luftë kundër këtyre, sipas mësimeve të Islamit, ju do të përfshiheni në formën më sipërore të Xhihadit. Të shpenzuarit para në shpërndajen dhe propagandimin e fesë sipas Islamit është gjithashtu një formë Xhihadi. Të ndihmuarit i një të varfëri nëpërmjet bamirësisë është gjthashtu një formë tjetër e Xhihadit.
Forma më e lehtë e Xhihadit është të shkuarit në luftë, në vetëmbrojtje. Sipas mësimeve të Islamit muslimanët nuk lejohen të shpallin luftë kundër armiqve të tyre sa do të këqinj qofshin ata. E vetmja situatë ku muslimanët janë të lejuar të marrin armët është amiku sulmon me qëllimin e qartë duke i cënuar jetët, pronën, nderin dhe kur tentojnë të ç’rrënjosin fenë që ushtrojnë. Vetëm në këtë situatë Islami lejon të drejtën e vetëmbrojtjes dhe asnjë njeri me gjykim të shëndoshë nuk mund të kundërshtojë aspak kundër kësaj. Është me interest të nënvizojmë se edhe pse muslimanëve iu është dhënë e drejta e vetëmbrojtjes, megjithatë ata bëjnë të pamundurën për të vendosur paqen edhe në fushën e betejës. Duhet bërë çdo përpjekje në mënyrë që luftimi të shmanget. Nëse kjo dështon atëherë konflikti duhet të vazhdojë aq kohë sa zgjat persekutimi. Nëse kundërshtarët e Islamit i dorzojnë armët e tyre, atëherë muslimanët duhet të heqin dorë nga luftimi.
Këshilla e Profetit të Shenjtë (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të)
Kur i dërgonte pasuesit e tij në beteja mbrojtëse, Profeti i Islamit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) e kishte zakon që t’i këshillonte ata ndonëse ata ishin të detyruar të merrnin armë për tu vetëmbrojtur, se ata nuk duhet të harronin kurrë se ata ishin ambasadorët e Islamit. Ai do tu jepte udhëzime si:
- Asnjë grua, fëmijë apo udhëheqës fetar nuk duhet vrarë.
- Askush që nuk merr pjesë në fushëbetejë nuk duhet vrarë apo dëmtuar në ndonjë mënyrë.
- Vendet e adhurimit nuk duhet të prishen apo ç’shenjtërohen.
- Një urë e cila i sjell të mira njerëzve nuk duhet shkatërruar në asnjë mënyrë.
- Një pemë që jep fruta apo u bën hije njerëzve nuk duhet prerë.
Përfundime
Tani mund të vlerësohet më mirë sesi mësimet e Islamit kanë promovuar paqen dhe tolerancën. Mësimet fisnike të Islamit të lidhura me konceptin e Xhihadit janë deformuar krejtësisht. Xhihadi në të vërtetë është reformimi i vetëvetes për të përmirësuar virtytet e vetëvetes dhe të luftuarit kundër tundimeve të Satanit. Ky Xhihad që zgjat gjithë jetën është Xhihadi më i madh. Forma më e vogël e Xhihadit është të luftuarit në vetëmbrojtje kundër atyre që kërkojnë të zhdukin besimtarët dhe të shfarosin fenë nga faqja e dheut. Edhe këtu, Islami ka dhënë mësime shumë të bukura dhe humane.
Islami është fe e paqes dhe t’i shoqërosh gjakderdhjen, terrorizmin vetëvrasjen sulmet vetëvrasëse dhe ndonjë akt dhune me Islamin është tërësisht e gabuar. Islami ka një mesazh paqeje për të gjithë njeëzimin. Flamuri që mban lart Islami është flamuri i paqes. Duke ndjekur mësimet e Islamit i gjithë njerëzimi mund të shijojë bekimet e paqes. Fjala ime e fundit, fjalia ime e fundit, lutja ime është: Allahu e bekoftë këtë univers të bukur me paqen e përjetshme për të gjithë njerëzimin. Amin.

Comments

Popular posts from this blog

كَفَى بِالْمَرْءِ كَذِبًا أَنْ يُحَدِّثَ بِكُلِّ مَا سَمِعَ

A është e vërtetë se namazi i grave në shtëpi është më e pëlqyer se në xhami?